Sipas Drejtorisë për punë hidrometeorologjike të Maqedonisë prej sot deri të shtunën do të kaplohet prej temperaturave të larta të fazës së portokalltë. Temperatura në disa vende pritet të tejkalojë 40 gradë.
Për shkak të temperaturave të larta, Ministria e Shëndetësisë rekomandon që nga obligimet e punës të lirohen gratë shtatzëna dhe njerëzit me sëmundje kronike të moshës mbi 60 vjeç, kurse punëdhënësit ta riorganizojnë orarin e punës, në mënyrë që të evitohen aktivitete në ambiente të hapura mes orës 11 deri në ora 17.
Rekomandohet të mos mbahen aktivitete sportive në ambiente të hapura nga ora 11 deri në ora 17 kurse në kopshtet e fëmijëve të mos i ekspozojnë fëmijët jashtë në këtë periudhë kohore.
Qytetarët rekomandohen t'i respektojnë rekomandimet e përgjithshme për mbrojtje nga temperaturat e larta, siç janë mbrojtja nga ekspozimi i drejtpërdrejtë në diell, evitimi i qëndrimit në ambiente të hapura nga ora 11 deri në ora 17, veshje të rrobave me ngjyra të hapura dhe të lehta, konsumimi i ushqimit të lehtë dhe lëngjeve, mënyra higjienike e përgatitjes së ushqimit dhe marja e rregullt e terapisë për pacientët me sëmundje kronike.